Një zyrtar i lartë i grupit militant islamik Hamas, Osama Hamdan, tha të shtunën se nuk ka pasur përparim në bisedimet e armëpushimit me Izraelin lidhur me luftën në Gaza.

“Grupi palestinez është ende i gatshëm të marrë pozitivisht me çdo propozim armëpushimi që i jep fund luftës”, tha Hamdan në një konferencë shtypi në Bejrut.

Përpjekjet e ndërmjetësve arabë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, kanë dështuar deri më tani për të arritur një armëpushim. Hamasi thotë se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës dhe të sjellë tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi, i cili ka sunduar Gazën që nga viti 2007, të çrrënjoset.

Hamdan gjithashtu fajësoi Shtetet e Bashkuara për ushtrimin e presionit ndaj Hamasit për të pranuar kushtet e Izraelit.

“Edhe një herë, Hamasi është i gatshëm të merret pozitivisht me çdo propozim që siguron një armëpushim të përhershëm, një tërheqje gjithëpërfshirëse nga Rripi i Gazës dhe një marrëveshje serioze shkëmbimi,” tha Hamdan, duke iu referuar një shkëmbimi të mundshëm të pengjeve të mbajtura në Gaza për palestinezët në burgjet izraelite.

Kur militantët e udhëhequr nga Hamas organizuan sulmin e tij terrorist në jug të Izraelit më 7 tetor, ata vranë rreth 1200 njerëz dhe kapën më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Ofensiva izraelite si hakmarrje deri më tani ka vrarë afro 38,000 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, dhe e ka lënë në gërmadha enklavën bregdetare të ndërtuar shumë./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *