Inteligjenca ushtarake izraelite e dinte më shumë se dy javë përpara pushtimit se ekzistonte një plan nga Hamasi për sulm, raportoi transmetuesi publik Kan.

Njësia e inteligjencës së ushtrisë izraelite, “Njësia 8200”, prodhoi një raport më 19 shtator, duke detajuar trajnimin e njësive elitare të Hamasit, të cilët po përgatiteshin për këto sulme.

Zyrtarët e inteligjencës brenda komandës ushtarake jugore të Izraelit, që përfshin Rripin e Gazës, ishin në dijeni të raportit, por e injoruan atë, sipas Kan, i cili citoi zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë.

Sipas informacioneve të Kan, një dokument i shpërndarë më 19 shtator në Divizionin 143 Chahal, i njohur gjithashtu si Divizioni i Gazës, informonte për një plan për të sulmuar bazat ushtarake në Izrael dhe për të marrë deri në 250 pengje, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Skenari më i keq i mundshëm i konsideruar në atë kohë ishte hyrja e mundshme e disa dhjetëra anëtarëve të Hamasit nga tre pika në territorin izraelit.

Por më 7 tetor, sulmet e komandove të Hamasit dhe organizatave të tjera simotra të armatosura palestineze në Izrael rezultuan në vdekjen e 1,194 personave, shumica prej tyre qytetarë izraelitë, dhe rrëmbimin e 251 personave.

Nga 116 pengjet e mbetura në Gaza, 41 janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar me vendosmëri të zhvillojë një hetim zyrtar për sulmet e 7 tetorit përpara përfundimit të luftës në Gaza.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha AFP-së, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me zbulimet e Kan, se ushtria “po kryente një hetim mbi ngjarjet e 7 tetorit dhe ato që i paraprinë. Qëllimi i këtij hetimi është nxjerrja e mësimeve të nevojshme”, tha përfaqësuesi, duke shtuar se “gjetjet e hetimit do të prezantohen me transparencë të plotë për publikun”./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *