Subscribe

Protestat e përjavshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës, për kryebashkiakun Erion Veliaj, janë të ngjashme me ato që organizohen në Kabul.

“Shihini çdo të premte te Bashkia e Tiranës; shihini si djegin gomat dhe ato kukullat prej lecke. Ka vetëm një forcë tjetër në botë që bën të njëjtën politikë: Talebanët në Kabul! Se ata nuk dinë të flasin, nuk dinë të thonë si do bëjmë një kopësht, si do bëjmë një çerdhe, si do e promovojnë turizmin, si do e zgjerojmë aeroportin. Një forcë që nuk di të artikulojë, djeg goma”, tha Veliaj.

Gjatë takimit me strukturat e PS, Veliaj sulmoi edhe Sali Berishën, duke deklaruar se figura e tij politike është zbehur. Në këto kushte ku është opozita sot, Partia Socialiste sipas kryebashkiakut vë bast për Kavajën në zgjedhjet e ardhshme.

“Saliu që bënte zap Shqipërinë dhe dhunonte çdo socialist, sot nuk bën dot zap as dritaren e tij. është katandisur ‘kokoshi një thelë’. Sot, ata që digjnin gjithë Shqipërinë, djegin njëri-tjetrin me goma dhe molotovë. Më shumë digjen vetë, se sa i bëjnë ndonjë dëm Shqipërisë. Por, sfidën tonë më të madhe ne e kemi vitin tjetër, për ta kthyer Kavajën bindshëm në familjen socialiste. Kjo do të vijë vetëm nëse ky grup që nderojmë sot, me grupin që janë në sallë, do arrijnë të bashkëpunojnë si një familje. Ky është momenti për betejë, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit, për t’u fokusuar te beteja, te fitorja jonë e 2025”, shtoi kryebashkiaku.

Erion Veliaj theksoi se nëse kampi opozitar do të vijojë me të njëjtën sjejllje të dhunshme deri në ditën e zgjedhjeve, atëherë për qytetarët do të jetë më e thjeshtë për të votuar për Partinë Socialiste./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *