Subscribe

Nga Mimoza Ibra

Gjatë vitit 2023, 215 të mitur nisën një punë të përkohshme, sipas shifrave të Inspektoratit të Punës.

Sektori i turizmit është punëdhënësi më i madh për këtë kategori, duke punësuar 152 fëmijë në vitin e shkuar.

Trendi i punësimit të të miturve në bizneset turistike po vijon edhe gjatë këtij sezoni veror, edhe si një zgjidhje për sipërmarrësit në kushtet kur vuajnë për fuqi punëtore.

“Trendi për punësim gjatë sezonit veror po vërehet nga kërkesat që punëdhënësit kanë bërë pranë Inspektoratit të Punës për t’u pajisur me një autorizim për punësimin e fëmijëve. Aktualisht vetëm për qershorin kemi 4 kërkesa”, tha Irida Qosja nga Inspektorati i Punës.

Për 16-vjeçarët, kjo është një mundësi e mirë për të shpenzuar pushimet e verës dhe për të mbledhur të ardhura për nevojat e tyre.

“I vogël jam, por nxjerr shpenzimet e mia, nxjerr lekët e shkollës. Kam ardhur vetë, me vullnet të lirë, e bëj me qejf”, tha një i mitur.

“Kam dashur të punoj që të ndihmoj familjen dhe për të blerë gjëra që më duhen. Kam ardhur me dëshirën time”, shtoi një tjetër.

“Po punoj që të kem paratë e mia dhe të mos rëndoj familjarët, dua të jem i pavarur”, u shpreh një tjetër i mitur.

Punësimi i të miturve, në çdo rast, duhet të përmbushë disa kritere.

“Të miturit duhet të punojë 6 orë dhe jo 8 orë. Punësimi i tyre duhet të jetë i bazuar në një ekzaminim mjekësor paraprak për të kuptuar që shëndeti i tij është në përputhje me punën që po bën dhe punësimi i tyre të jetë në pozicione pune të lehta dhe jo të vështira. Puna e të miturve në punë të vështira është e ndaluar. Punësimi i fëmijëve kërkon një autorizim të posaçëm nga Inspektorati i Punës, para fillimit të punës. Ai autorizim përcakton procedurën korrekte që punësimi i të miturit të mos ndikojë negativisht në shëndetin e tij”, deklaroi Irida Qosja.

Veç sektorit të turizmit, fëmijët shpesh gjejnë vende pune edhe në ndërmarrje prodhuese, ku gjatë vitit 2023 Inspektoati i Punës konstatoi 52 raste të tilla./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *