Subscribe

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ky takim i parë kokë më kokë për këtë vit mes dy liderëve zhvillohet në kohën kur zyrtaret europiane si Josep Borrell dhe Miroslav Lojcak , të cilët janë angazhuar në këtë dialog , përfundojnë mandatin e tyre 5-vjeçar.

Një ditë përpara takimit i dërguari i BE Lajçak u shpreh optimist për arritjen e një dakordësie mes shefit të qeverisë së Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

“Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak.

Marrëveshja që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj, nuk janë nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiç, sepse presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë deri më tani nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshje.

Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të saj, e cila i referohet formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon të shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Për herë të fundit shefi i qeverisë së Kosovës dhe president i Serbisë janë takuar në Bruksel më 14 nëntor të vitit të kaluar./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *