Deputeti demokrat, Flamur Noka, foli në Kuvend lidhur me skandalin tek Onkologjiku.

Noka theksoi në fjalën e tij se duhet shmangur histeria ndaj bluzave të bardha, pasi në mesin e tyre ka mjaft profesionistë që shërbejnë me përkushtim ndaj qytetarëve.

Sipas tij, skandali i këtyre përmasave nuk i duhet atribuar mjekëve, por sistemit. Ai theksoi se e gjitha është e orkestruar nga qeveria që dëshiron të shmangë përgjegjësinë nga vetja.

“Janë më të keqpaguarit e Europës dhe kanë punuar e punojnë me përkushtim për t’iu shërbyer dhe për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë. Edhe dje, pra tek Onkologjiku, shërbimi dhe përkushtimi ka qenë i mjekëve dhe i stafit, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe kurrë nuk do të ngrejmë histeri kolektive kundër mjekëve, por kjo gjë ka një burim, propagandën e qeverisë për të shpëtuar nga burimi i së keqes edhe tek Onkologjiku, edhe tek sistemi shëndetësor e kudo tjetër. E gjitha kjo bëhet me regji që nesëë Rama t’iu thotë qytetarëve të lodhur e sfilitur me shëndetësinë “falas” se ja fajtorët nuk jemi ne, janë mjekët fajtorët. Ata i hajnë kumbulla pas shpine kryeministrit”, tha ai.

Sipas tij, e gjithë kjo ka si qëllim të zhvendosë vëmendjen nga skandalet e qeverisë dhe përgjegjësia të bie mbi bluzat e bardha. Noka theksoi se kjo është pasojë e vjedhjes së fondeve publike dhe korrupsionit qeveritar që përkthehen në shërbim të cunguar për qytetarët tek Onkologjiku e jo vetëm./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *