Subscribe

Pas disa vitesh procedura, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Shqipërisë në çështjen që kishte përballë Bankers Petroleum.

Kompania e nxjerrjes së naftës njoftoi hapjen e padisë në gjykatën e arbitrazhit pasi administrata tatimore urdhëroi bllokimin e llogarive të saj bankare, duke kërkuar 75 milionë dollarë taksa të pretenduara në bazë të një rivlerësimi tatimor.

“Në përfundim të gjykimit, dhe pse Bankers kërkoi me anë të arbitrazhit të mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove, Shqipëria ja doli të ketë epërsi mbi shumë nga çështjet e interpretimit të Marrëveshjeve përpara Tribunalit”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas vendimit të Arbitrazhit, Bankers do të duhet t’ i kthejë Shqipërisë shuma për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës.

Sipas vendimit, mbi 236 milionë dollarë nga kostot e pretenduara nga Bankers dhe të kundërshtuara nga AKBN janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme.

Në bazë të një auditi në vitin 2015, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore pretendoi për një shumë prej 247 milion dollarësh shpenzimesh të pajustifikuara, të cilat nuk ia njohu si kosto që zbriten për efekt tatimi, por Bankers nuk pranoi të paguante detyrimet që rridhnin si pasojë e kësaj, në formën e tatim – fitimit.

Palët më pas ranë dakord që kompania të pezullonte gjykimin në arbitrazh dhe një ekspert i pavarur të jepte një opinion se kush kishte të drejtë. Por më pas, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njoftoi se do t’i drejtohej Arbitrazhit për të ankimuar vendimin e një paneli me tre ekspertë, të cilët i dhanë të drejtë kompanisë Bankers Petroleum./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *