Komisioni hetimor dëgjoi sot drejtuesen e shërbimit sekret shqiptar Vlora Hyseni, dëshmi e cila u zhvillua pa praninë e medias për shkak të informacionit të klasifikuar.

“Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara”, tha Vlora Hyseni.

Shefja e shërbimit sekret shpjegoi se e kishte të pamundur të paraqitej më herët në komision për shkak të takimit  me asistentin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën. Ky sqarim u pasua nga reagimi i mazhorancës e cila i bëri apel kryetarit të komisionit Ervin Salianjii ti kërkonte ndjesë Vlora Hysenit të cilën e akuzoi për takime në Beograd

“Duhet ta fillosh mbledhjen me një ndjesë publike për kauzat që bëtë ndaj drejtueses së Shërbimit duke e ngatërruar qëllimisht vendin e saj të takimit, nga Brukseli në Beograd”, tha deputeti i PS Xhemal Qefalia.

Demokratët tentuan ta zhvillojnë mbledhjen të hapur për publikun, por kërkesa e tyre u hodh poshtë nga mazhoranca

“I shërben publikut dhe këtij institucioni që të jetë me dyer të hapura. Lakuriqi i natës nga drita verbohet dhe del vetëm në errësirë. Si lakuriq nate të heqim mediat, dritën të mbyllemi këtu dhe ju mendoni se do ja hedhim dot.”, shtoi kryetari i komisionit Ervin Salianji.

Deri tani çdo dëshmi në komisionin hetimor për ndërhyrjet në sistemin Tims është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *