Subscribe

2 korriku i vitit 1990 është për shqiptarët dita e rrëzimit të murit të tyre të Berlinit. Rreth 5 mijë qytetarë sfiduan diktaturën  dhe hynë brenda ambasadave, ngjarje kjo që tronditi ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër regjimin komunist.

Në korrikun e 90 në Shqipëri diktatura komuniste dukej ende e fortë, edhe pse në Tiranë kishte mbërritur jehona e shembjes së murit të Berlinit disa muaj më parë apo vrasja e diktatorit Cuashesku në Rumani.

Por revolta e mijëra shqiptarëve të cilët brenda një dite hynë nëpër ambasada duke kërkuar strehim politik për ti ikur regjimit, tregoi se diktatura komuniste nuk mund mbijetonte gjatë.

Shqiptarët e parë në atë dy korrik shkuan në ambasadën greke, të tjerë në ambasadën franceze, italiane e egjiptiane. Momenti më i bujshëm i atij 2 korriku  ishte veprimi i Ylli Bodinakut i cili çau me kamion murin e ambasadës gjermane.  Bodinaku kishte marrë me vete gruan, dy djemtë si dhe miq e të afërm  dhe me kamionin e tipit Skoda hyri brenda ambasadës për të kërkuar strehim politik. Pas tij dhjetëra qytetarë hynë brenda ambasadës gjermane në përpjekje për ti ikur tmerrit komunist.

Me ndërhyrjen e diplomatëve dhe pas disa ditë  negociatash  edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, diktatura komuniste u dorëzua dhe lejoi largimin e qytetarëve shqiptarë drejt vendeve në ambasadat e të cilave ata kishin kërkuar strehim politik.

5 muaj më vonë, në 8 dhjetorin e vitit 1990  do të ishin studentët ata që do të ngriheshin në protesta duke rrëzuar pas më shumë se 4 dekadash diktaturën komuniste./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *