Subscribe

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dhërmi ku ndau 789 tituj të tjerë pronësie, në procesin e përmbylljes së hipotekimit të shtëpive të trashëguara. Rama tha se në Bashkinë e Himarës është përmbushur një e treta e procesit dhe regjistrimi përfundimtar i shtëpive , duke shtuar se një metër katror sot në Dhërmi, është më shtrenjtë se sa në Korfuz .

“Ajo që ka rëndësi për ju është që ky kalvari i gjatë për të regjistruar shtëpitë e trashëguara, ka përfunduar dhe tani është vetëm çështje dorëzimi certifikatash. Në Vlorë rreth 4 mijë e dy  apo 300 me këto te sotmet që një pjesë do e shpërndajmë këtu dhe këtë e bëjmë për të sensibilizuar edhe të tjerët që të aplikojnë sepse kemi problem me aplikimin. Sot të blesh një metër katror në këtë zonë është më shtrenjtë se në Korfuz. Ama të thuash që këtu është bërë një politikë për të shpronësuar himarjotët edhe gjithë banorët autoktonë në funksion “të oligarkëve” se oligarkë në Shqipëri nuk ka, fjala oligark mes sipërmarrësit e mëdhenj shqiptar nuk lidhen të dyja bashkë,” tha Rama.

Teksa shpërndante certifikata , Rama  u ndal tek ata qe sipas tij duan të ndajnë Himarën mes Tiranës e Athinës për shkak të çështjes Beleri, duke përmendur kreun e PBDNJ  Vangjel Dulen.

“Si na qenka nga kjo tani që Himara na qenka, ca qenkan me Tiranën e ca qenkan me Athinën. Çfarë hyjnë këto këtu? Këto janë pjesë e lodrave politike. Nuk mund ta ndash historinë e Himarës dhe ta ndash sipas qejfit të një copë e të thuash jo kjo është kështu, jo është një histori, është një histori dhe ajo që e simbolizon këtë që po them unë është fytyra e Vangjel Dules. Ç’punë ka Vangjel Dulja në Himarë, përveçse si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si çdokush tjetër dhe me çfarë të drejte, me cilën të drejtë i jep gojës për të nxitur përçarje dhe për të folur absurditete dhe për të folur marrëzira, të cilat nuk kanë lidhje fare as me jetën e përditshme të himarjotëve, as me jetën e përditshme të shqiptarëve, as me jetën e përditshme të grekëve, as me Shqipërinë, kanë lidhje vetëm me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje, tha Rama.

Rama ndërkohë nuk i kurseu as kritikat për administratën e tij.

“Minj nëpër zyrat e shtetit, patjetër, por edhe kjo, që kur kapen minjtë, të vësh kujën, që “o po bëhet nami”. Ç’po bëhet nami? Shyqyr që po kapen, më shumë të kapen, për këtë punë kemi bërë gjithë këtë përpjekje dhe për këtë punë përpiqemi. Po minjtë i kap çarku. Prandaj, kemi ngritur e do ngremë edhe më shumë çarqe për të kapur minj”, tha Rama.

Procesi i regjistrimit përfundimtar të shtëpive të trashëguara në Himarë  do të përfundojë brenda vjeshtës së këtij viti./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *