Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Përveç dorëzimit të certifikatave të pronësisë, banorëve të Thethit kryeministri Edi Rama u premtoi falje të gjobave për ndërtimet pa leje.

“Ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit, dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i falë gjithë këto gjoba”, tha Rama.

Për  arsyen e këtij vendimi Edi Rama dha këtë shpjegim me bashkëfajtor edhe bashkinë Shkodër kur drejtohej nga Partia Demokratike.

“Nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’iu shmangur ligjit, por janë ndërtime të bëra nga nevoja. Në kushtet e pamundësisë ligjore, njerëzit kanë vazhduar t’i bëjnë. Kjo nuk do të thotë që kush do vërë një gur pa leje më tutje do tolerohet, kjo do të thotë që në atë fazë kur këto  ka ndodhur s’ka pasur asnjë vëmendje nga bashkia, zero.  Dhe një nga arsyet pse kjo po ndodh sot, nuk është vullneti i qeverisë, por ligjërisht këto janë punë të ndara dhe një pjesë e këtyre punëve janë të pushtetit vendor”, shtoi kryeministri.

Pas 12 vitesh në pushtet Edi Rama premton mbyllje të problemeve me çështjet e pronësisë në veriun e vendit.

“Do ta fillojmë nga kisha. Ai tha ishalla po u jap këtyre të PD-së para. Atyre të PD-së i ka ra sakica në mjaltë, kur thoni ju sepse për punë kanë sherrin, kurse punët e tyre i bëjmë ne. Atyre u ka ra sakica, kur kanë pas partinë e tyre rrinin ngroheshin në diell dhe luftonin komunizimin, e nuk zgjidhnin asnjë punë. Tani që kanë partinë e tyre, na kanë ne dhe ne ua bëjmë punët. Partitë shkojnë e vijnë përveç kësaj të tonës”, përfundoi Rama./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *