Të paktën 19 persona u vranë në Meksikë, duke përfshirë katër guatemalanë, në një konflikt mes dy karteleve të drogës në shtetin jugor të Chiapas, njoftoi  Ministria e Sigurisë.

Brenda një kamioni me mallra janë gjetur 14 persona të vrarë me armë zjarri, dy të tjerë në kabinë, dy në rrugë dhe një tjetër në distancë rreth 100 metra, sqarohet në njoftim.

Incidenti ndodhi të premten e kaluar në qytetin La Concordia, disa orë me makinë nga kufiri me Guatemalën.

Sipas ministrisë, hetimet e para tregojnë se bëhet fjalë për një konflikt mes kartelit Sinaloa, një nga më të fortët në vend, dhe një fraksioni rival të quajtur “Karteli i Chiapas dhe Guatemalës”.

Autoritetet theksojnë se dy organizatat kriminale po pretendojnë kontrollin e kësaj zone kufitare dhe, sipas njoftimit, u konstatua se të paktën katër nga personat e vrarë mbanin karta identifikimi të lëshuara nga qeveria e Guatemalës.

Pasi u alarmuan të shtunën për praninë e trupave në një rrugë rurale, forcat e rendit zbuluan të vrarët brenda një kamioni mallrash, thanë ata.

Sipas të njëjtit burim, në zonën ku u zhvilluan këto ngjarje, u bënë arrestime të personave të lidhur me “kontrabandën e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve”.

Fundjavën e kaluar, qeveria federale urdhëroi vendosjen e 1200 trupave për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit me Guatemalën. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *