Subscribe

Me debate dhe tone të larta ka nisur seanca e kësaj të enjte në Kuvend.

Skandali i bërë publik dy ditët e fundit në spitalin e Onkologjisë, pritet që të zënë një hapësirë të konsiderueshme të debatit, edhe pse kjo çështje nuk është në rend dite.

Në rendin e ditës, është parashikuar një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti Tritan Shehu për ligjin e surrogracisë dhe abortit. Por ajo pritet që të përballet edhe me pyetjet për skandalin në spitalin Onkologjik, ku mjekët orientonin pacientët me kancer drejt privatit, duke u mohuar të drejtën e kurimit në shtet.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i PD Asllan Dogjani ka kërkuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, për çështjet e mossundimit të ligjit, mos reagimit të qeverisë për vjedhjen e pronave apo edhe largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të BE.

Kjo kërkesë e tij nuk u pranua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, me arsyetimin se nuk është në përputhje me rregulloren.

Por kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në seancën e kësaj të hëne, gjë që ka sjellë edhe një reagim të ashpër të kreut të grupit të PD Gazment Bardhi. AI madje e ka vënë theksin edhe në mungesën në seancë të ministrit të Ekonomisë Ervin Mete, teksa shton se nuk u përgjigjet as kërkesave për informacion që janë kërkuar nga opozita. Bardhi ka shtuar se opozita ndodhet aty me votat e qytetarëve dhe i ka ka kërkuar kryeparlamentares Nikolla respektim dhe zbatim të Kushtetutës dhe rregullores./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *