Subscribe

Ditën e nesërme, kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të vizitojë Shëngjinin.

Arsyeja e vizitës së kryeministres italiane është ecuria e punës për ndërtimin e strukturave në Lezhë dhe Gjadër për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm që kapen në brigjet e fqinjit.

Zëvendësminstrja e Brendshme, Romina Kuko në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi u shpreh se Shqipëria përmes kësaj marrëveshjeje është zgjidhja e një problemi që tani po prek Evropën.

-Prej nëntorit 2023 kur është nënshkruar marrëveshja, disa grupe të të drejtave të njeriut edhe jashtë Shqipërisë e kanë kritikuar marrëveshjen. Si e ka përballuar Shqipëria, por edhe Italia këtë valë kritikash?

Kuko: Kjo marrëveshje ka hasur në rezistencë sidomos nga pjesa e opozitës në Itali e cila ka nxitur edhe grupet për të drejtat e njeriut. Kjo marrëveshje nuk ka hasur kritika nga Komisioni Evropian apo nga shtete të tjera të rëndësishme të BE-së për pjesën e problemit të migracionit. Ka një mospërputhje sepse nëse flasin grupet e të drejtave të njëriut për këtë marrëveshje, nuk e kuptoj se si mund të bëhet kjo kur kemi të bëjmë me një çështje humanitare. Migracioni në thelb është një problem social dhe pse duhet të kemi kritika lidhur me këtë? Shqipëria nuk ka pse të reagojë ndaj çdo kritike që bëhet nga grupe të veçanta, ndonjëherë dhe jozyrtare, duhet të bëjmë pyetjen se “çfarë jemi duke bërë” dhe ne jemi thjesht zgjidhja e një problemi që tani po prek Evropën.

-Shqipëria ka pak rol në zbatimin konkret të marrëveshjes, pra forcat e rendit të Shqipërisë do të merren vetëm me sigurimin e perimetrit të jashtëm të dy qendrave të pritjes. Është kështu apo jo?

Kuko: Shqipëria ka së pari vullnetin politik për të ndihmuar Italinë dhe për të ndihmuar rajonin e Mesdheut. Kur vjen puna për zbatimin e marrëveshjes, Shqipëria do të ketë vetëm përgjegjësi për perimetrin e jashtëm të qendrave të pritjes.

-Është shprehur një shqetësim se ata që do të strehohen në këto qendra mund të jenë edhe kongjinent nga shkelësit e ligjit. Cili do të jetë roli i shteti shqiptar nëse një prej tyre kryen një krim jashtë territorit të qendrave?

Kuko: Është një diskutim që është shteruar në momentin që ishte duke u diskutuar kjo marrëveshje. Së pari duhet mos diskutojmë emigrantët sepse është shumë e rëndësishme të kuptojmë që është një krizë humanitare. Nëse kemi një gjë që do të jetë e pamundur për tu realizuar duke qenë se shtresat e sigurisë të këtyre qendrave do të jenë shumë të mirëpërcaktuara, atëherë do të jetë në juridiksionion e policisë shqiptare për tu marrë me çështjen.

-Shqipëria ka strehuar prej disa vitesh përfaqësues të opozitës iraniane. Po ashtu ka pritur kontigjentë të popullsisë afgane. A ka ngjashmëri mes këtyre dhe refugjatëve që do të vinin në Shqipëri?

Kuko: Nuk mund të themi se kanë ngjashmëri në termat e arsyes sepse këta njerëz kanë ardhur dhe janë mirëpritur në Shqipëri. Rasti konkret ka të bëjë me trajtimin e emigrantëve, kemi të bëjmë me problemin e Mesdheut dhe të migrantëve. Nuk ka të bëjë me strehimin e një grupi të caktuar por vetëm me trajtimin e tyre sa i përket pjesës së azil-kërkimit në territorin shqiptar./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *