Subscribe

Intesa Sanpaolo Bank Albania u vlerësua si banka më e mirë për vitin 2024 nga CFI, një revistë ekonomike me qendër në Mbretërinë e Bashkuar. Elena Balliu, drejtore e segmentit të SME-ve në këtë bankë, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus evidentoi shtyllat kryesore të punës si dhe risitë që do të ofrojë kjo bankë në vijim. Pjesa nga intervista.

Cilat janë disa nga shifrat kryesore që regjistroi banka gjatë 2023 dhe kujt ia dedikoni këtë vlerësim?

Viti 2023 u mbyll me rezultate të shkëlqyera për Intesa Sanpaolo Bank Albania. Intesa Sanpaolo Bank Albania realizoi fitim neto prej 3.1 miliardë lekësh, me një rritje prej 137% në vit në krahasim me fitimin neto të vitit 2022. Ecuria e jashtëzakonshme u regjistrua në të gjitha kategoritë e të ardhurave, ku banka jonë arriti të realizojë një rritje vjetore prej 10% të të ardhurave nga aktivitetet tregtare dhe 61% të të ardhurave neto nga interesi. Ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet që tregojnë përkushtimin tonë për të zgjeruar pjesën tonë të tregut dhe përfitueshmërinë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në financimin e zhvillimit të biznesit të klientëve tanë.

Ju keni financuar një nga parqet fotovoltaike më të mëdha në Ballkan, atë të Karavastasë. Por jo vetëm. A mund të na përmendi disa risi të bankës tuaj për financimet e gjelbra?

ESG është një nga katër shtyllat e planit të biznesit të grupit “Intesa Sanpaolo” për 2022-2025. Intesa Sanpaolo Bank Albania, pjesë e divizionit të bankave filiale ndërkombëtare të grupit “Intesa Sanpaolo” po financon dhe nxit ekonominë shqiptare, duke krijuar vlera të qëndrueshme bazuar në parimet e ESG (Parime me qasje mjedisore dhe sociale) dhe duke ruajtur një pozicion të qëndrueshëm të kapitalit. Rrjedhimisht, një mbështetje e vazhdueshme u ofrohet klientëve të SME (Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, NVM) duke forcuar kreditimin e qëndrueshëm dhe shërbime të dedikuara konsulence financiare. Në rrugën për tranzicionin e gjelbër të SME-ve shqiptare, grupi “Intesa Sanpaolo” akordoi një fond prej 20 milionë eurosh për të mbështetur investimet në ekonominë e gjelbër. Duke qenë të vetëdijshëm për ndikimin që banka ka në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, por dhe fokusin tonë në qëndrueshmëri, ne jemi të përkushtuar të forcojmë qeverisjen tonë edhe duke marrë gjithashtu në konsideratë qasjen tonë komerciale. Në lidhje me këtë, portofoli i produkteve tona ESG përfshin produkte të ofruara për të gjitha segmentet e klientëve si: Energjia e rinovueshme, financimi i projekteve & investimeve për panele fotovoltaike, hydro, parqe eolike, financime për panele fotovoltaike për vetë konsum, qira financiare për makina elektrike & hibride.

Ju keni në plan të aplikoni një model të ri shërbimi nga muaji shtator. Çfarë parashikon ky model i ri dhe pse ishte i nevojshëm hartimi i tij?

Modeli i ri i shërbimit synon të ofrojë një përvojë bankare sa më të personalizuar për bizneset SME në vend. Pas një analize të thelluar të shtrirjes së tyre në vend, Intesa Sanpaolo Bank Albania është duke finalizuar të gjitha detajet teknike dhe logjistike për të akomoduar këtë risi shërbimi, në përputhje me modelin e ofruar nga grupi “Intesa Sanpaolo” në 3 qytete të vendit. Specifikisht këto qendra shërbimi do të ofrohen në Tiranë, Durrës dhe Vlorë kurse në disa degë të tjera në vend do të vijojë të ketë staf të dedikuar për t’i shërbyer klientëve SME. Hartimi i modelit të ri të shërbimit përmbush të gjitha kriteret jo vetëm të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, por do të funksionojë si një qendër konsulence dhe edukimi financiar për të gjithë bizneset SME. Në ditët dhe javët në vijim klientët SME të bankës do të informohen përmes takimeve të personalizuara me menaxherin e tyre të marrëdhënies me klientin, por dhe sesioneve të dedikuara për modelin e ri të shërbimit që do të ofrohet në këto qendra shërbimi, – deklaroi Balliu në emisioni “E-ZONE” në Vizion Plus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *