Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), që u mbajt në Tiranë, në kuadër të kryesisë së palës shqiptare.

Ministri Hasani vlerësoi punën e deritanishme të CEI në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, teksa theksoi nevojën urgjente për përshpejtimin e procesit integrues të rajonit.

“Të shtyrë edhe nga rreziku real i influencës së drejtpërdrejtë ose hibride të faktorëve të tretë në rajon, gjykojmë se është koha që vendet anëtare të Bashkimit Europian t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të angazhohen pa vonesë e pa rezerva kundrejt përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. I shprehim mirënjohjen tonë Hungarisë, e cila, sot më 1 korrik, merr kryesinë e radhës së Bashkimit Europian, duke përcaktuar si një prej prioriteteve të presidencës së saj zgjerimin e vonuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se Shqipëria e konsideron CEI-n një platformë pro aktive të bashkëpunimit rajonal, teksa nënvizoi se vendi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej promotoreve të paepura lidhur me çdo propozim e projekt të kësaj nisme.

Me propozim të Ministrit Hasani, takimi nisi me një minutë heshtje në nder të jetës dhe kontributit të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda sot nga jeta.

Shqipëria është anëtare e Nismës për Evropën Qendore prej vitit 1996 dhe ka presidencën e saj prej Janar 2024 – Dhjetor 2024./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *