Si përfaqësues të Qeverisë shqiptare, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishin në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris, ku zhvilluan një takim mjaft produktiv me përfaqësuesit e nivelit më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore, si Ernesto Ottone, Nëndrejtor i Përgjithshëm në UNESCO, Lazare Eloundou Assomo, Drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe Berta de Sancritobal, Drejtoreshë e Njësisë së Evropës dhe Amerikës së Veriut, Sektori i Kulturës së Trashëgimisë Botërore.

Ministri Gonxhja u shpreh se në takimin e sotëm, palët arritën që të bien në dakordësi për planifikimin e punës që duhet të ecë përpara mes UNESCO-s dhe Qeverisë shqiptare, një bashkëpunim që i shërben mirë trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe trashëgimisë botërore.

“Ishte një ditë shumë intensive në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris, ku me shumë kënaqësi u takuam me nivelin më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore dhe ku jemi krenarë si Ministri e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që jemi në sintoni të plotë, një bashkëpunim i shkëlqyer, një programim dhe planifikim shumë i mirë i të gjithë punës që na pret së bashku, në të mirë të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe trashëgimisë botërore. Dakordësuam një plan pune dhe protokoll shumë të mirë teknik, por edhe politik për të qenë gjithmonë e më afër me njëri-tjetrin, në të gjitha sfidat që na presin për menaxhimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e qëndrueshme të qendrave të trashëgimisë botërore dhe qendrave të trashëgimisë kulturore në Shqipëri”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro u shpreh se sot pala shqiptare ka shtuar një tjetër dosje në UNESCO, ajo e lumit Vjosa.

“Sigurisht bashkë me dosjet shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Butrintin, Gjirokastrën, Beratin, Ohrin, të cilin nuk e kemi vetëm trashëgimi kulturore, por edhe natyrore, një dosje të re i shtuam sot diskutimeve tona në UNESCO për sa i përket biodiversitetit  dhe prezantuam punën e bërë deri më tani për lumin e fundit të egër në Evropë, lumin e Vjosës të cilin po përgatisim që ta regjistrojmë në një kategori të dedikuar në UNESCO-s që është ‘Njeriu dhe Biodiversiteti’.  Janë të gjitha këto paketa që së bashku me ministrin Gonxhja, ne i diskutuam sot me drejtuesit më të lartë, qoftë të trashëgimisë kulturore në UNESCO, qoftë të trashëgimisë natyrore dhe me nëndrejtorin e përgjithshëm në UNESCO, Z. Ottone. Zhvillimi i Qëndrueshëm i turizmit kalon përmes dy pasurive më të mëdha që ka Shqipëria, natyrës dhe trashëgimisë kulturore. Këtë konfirmim ne e morëm sot këtu në selinë e UNESCO-s në Paris”,  tha Ministrja Kumbaro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *