Subscribe

Kryetari i PD Sali Berisha mbetet deputet i kuvendit të Shqipërisë edhe pse prej 6 muajsh nuk ka marrë pjesë në punimet e parlamentit. Kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla në mbledhjen e konferencës së kryetarëve i ka dhënë fund debatit nëse Sali Berisha e humbet apo jo mandatin e deputetit, duke theksuar se mungesa e kryetarit të PD në parlament është mungesë me arsye. Kryeparlamentarja Nikolla sqaroi se është konsultuar edhe me njohës të Kushtetutës dhe ka arritur në konkluzionin se mandati i Sali Berishës nuk hiqet.

Sqarimi i kryetares së kuvendit është mirëpritur nga Partia Demokratike.

“Sot Kryetarja e Kuvedit, lexoj drejt kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha. Në kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit, duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”, tha Bardhi.

Sipas Kushtetutës mandati i deputetit mbaron kur ai mungon 6 muaj pa arsye në parlament. Në rastin e kryetarit të PD Sali Berisha, i cili prej 6 muajsh ndodhet në arrest shtëpie,  u gjykua që mungesa është me arsye, pasi si vetë ka kërkuar të marrë pjesë në parlament por kërkesa e tij është rrëzuar nga gjykata.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka qenë për herë të fundit në parlament në 21 dhjetorin e vitit të kaluar kur mazhoranca i hoqi imunitetin.

Në 30 dhjetor gjykata e posaçme vendosi për të arrest në shtëpi si masë sigurie në kuadër të hetimeve që SPAK-u po kryen ndaj Sali Berishës për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *