Sevilla e vendit të tretë në La Liga nuk kërkon t’i zërë besë një Leicesteri në krizë dhe që gjendet në luftë për t’i shpëtuar rënies në Premier League. Për më tepër, “Dhelprat” kanë humbur edhe 6 nga 8 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjithë kompeticionet. Të shtunën u eleminuan në “FA Cup”, nga një skuadër e divizionit të tretë, si Miluall.

 

Me tjetër moral vijnë iberikët, për të cilët humbja e edicionit të kaluar 1-3 ndaj Man.City është i vetmi kapitullim, sa i takon përballjeve në shtëpi me një kundërshtar anglez. Në kampionat gjenden 3 pikë larg kryesuesve të Real Madridit dhe vijnë nga fitorja e pastër 2-0 ndaj Eibarit.

 

I vetmi ngërç i andaluzëve është që nuk arrijnë çerekfinalet e Champions prej sezonit 1957/58. Sonte kanë të skualifikuar mbrojtësin Gabriel Mercado, kurse Tremulinas dhe Pareja janë me probleme fizike.

 

Nga ana tjetër, Ranieri do të mundohet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, megjithëse është pa sulmuesin Slimani, autor i 5 golave në 2 edicionet e fundit nëpër kompeticionet evropiane.

 

Për kampionët e Anglisë, kjo është sfida më e vështirë që prej debutimit të tyre gjatë këtij edicioni të Champions League. Me kureshtje pritet të shihet nëse do të vijojnë ecurinë poztive që kanë pasur vjet në Europë, apo do të kenë ndikim rezultatet negative të këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *