Subscribe

Ky avion i vogël tip “piper” u ul në fshatin Gotull në afërsi të grykëderdhjes së Ishmit në zonën mes Laçit e Krujës, ndërsa sipas pilotit, ulja ishte e detyruar për shkak te defektit. Policia mori informacion se mjeti fluturues u ul rreth orës 8 e 45 minuta, ndërsa njoftimi zyrtar për uljen e avionit që drejtohej nga një pilot italian u bë në orën 13:00 të mesditës. Në vendngjarje ndodhej 69-vjeçari Guido Guidi, i cili tha se ai ishte ngritur nga Bari dhe kishte destinacion Veriun e Italisë. Sipas deklarimeve të tij, për shkak të kohës së bukur, ai vendosi të bëjë një fluturim mbi det. Në lartësinë 5 mijë këmbë, sipas 69-vjeçarit, avioni i dha defekt e nga lartësia pa një tokë arë të punuar, të cilën e konsideroi si vendin më të përshtatshëm për t’u ulur. Gjatë manovrimit, avioni është dëmtuar ne njërin krah, ndërsa vete piloti, nuk pësoi lëndime. Prokurorë të Krimeve të Rënda shkuan në fshatin Gotull dhe rimorën në pyetje pilotin italian. Burime pranë grupit hetimor thanë se dyshimi kryesor është ai i transportit të drogës, ndonëse ende nuk janë gjetur prova konkrete të cilat faktojnë se 69-vjeçari do merrte ngarkesë hashashi. Hetuesit kanë ngritur këto dyshime edhe mbi faktin se në territorin shqiptar Guidi ka fikur sinjalizuesin, duke humbur gjurmët në hartën e albkontrollit. Nga ana tjetër, policia e Durrësit ka ndaluar 4 persona pronarë të tokës ku u ul avioni, pasi më herët, ata kishin sheshuar sipërfaqen. Por ata pretendojnë se kjo ishte bërë për shkak se zona do shfrytëzohej për hipizëm. Një fakt i tillë, ka shtuar edhe me shume dyshimet tek hetuesit. Piloti Guido Guidi më 23 tetor të vitit 2013 është akuzuar për korrupsion nga drejtësia italiane dhe çështja ka pasur të bëjë sërish me avionin. Sëbashku me një tjetër person, ata i kishin premtuar para një këshilltari të Prokurorisë, për të përpiluar një dokument të falsifikuar për një aksident ajror të ndodhur në Milano. Përplasja e një avioni me një depo industriale përfundoi me një pilot të vdekur, ndërsa 69-vjeçari kërkonte të ndikonte te eksperti teknik në hartimin e raportit në favor të kompanisë ajrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *