Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Japoninë për projektin e ‘Kadastra Digjitale’.

 

Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “që prej vititit 1930 kur është nënshkruar traktati i parë mes Shqipërisë dhe Japonisë, qeveria japozneze ka qenë një partner dhe një ndihmës i gatshëm për të ndikuar pozitivisht në zhvillimet në vendin tone”

 

“Asistenca ndërkombëtare për zhvillim që Shqipëria ka përfituar prej qeverisë japoznese i kalon 200 milionë euro dhe kjo e rendit Japoninë ndër partnerët kryesorë që e kanë ndihmuar Shqipërinë, posaçërisht në periudhën pas rënies së regjimit komunist”, tha Rama.

 

Rama shtoi se, “çelja e ambasadës së Japonisë në Tiranë në janar të këtij viti besoj se është shprehje kuptimplotë e faktit se pavarësisht dimensioneve të pakrahueshme, Japonia dhe qeveria japoneze rezervojnë një respect të veçantë për Shqipërinë.

 

Duke folur për Kadastrën Digjitale, Rama tha se, “ky është një projekt që nuk e teproj aspak të them fantastik, sepse është një projekt që na jep mundësinë të vendosim një kufi ndarës në çerek shekulli ngatërresa dhe konflikte në gjithë fushën e të drejtave të pronës që kanë ardhur edhe si rezultat i mungesës së informacionit të besueshëm”.

 

Rama e konsideroi projektin ‘Kadastra Digjitale’ si fundi i një çerekshekulli hartash me gropa e me vrima ku jane tretur prona dhe janë mbjellë konflikte pafund nga ngaterrësat, mbivendosjet e falsifikimet në dëm të shtetit e të pronarëve të ligjshëm.

 

Për këtë Kryeministri solli edhe një shembull. “Më lejoni të sjell dëshminë e një familjeje e cila e humbi pronën në gjyq për shkak se harta ku gjendej prona e kësaj familje, ishte me vrimë.
Bëhet fjalë për harta të letër të stërpalosura, që nga gjithë ky përdorim i gjatë kanë vrimë dhe prona e asaj familje humbi në një nga këto vrima. Në vendimin e gjykatës thuhet se nuk mund të vendoset për pronën në fjalë sepse ajo ndodhet në vrimën e hartës”, tha Rama.

 

Rama theksoi se, “sot janë me mijëra raste ku disa pronarë kanë disa letra shtetërore që thonë që prona është e tyre dhe po në atë pronë ka disa pronarë të tjerë me letra që thonë që prona është e tyre . kush e zgjidh këtë? Këtë e zgjidh ky projekt. Pas përfundimit të fotografimit dhe skanimit gjeohapësinor, të gjithë ndërtesat në territorin e Shqipërisë do të dokumentohen me koordinata të sakta në këtë kadastër. E cila do të shërbejë për pronën, infrastrukturën mbitokësore e nëntokësore, taksat kombëtare e detyrimet bashkiake”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *