“Njerëzimi nuk do të mbijetojë për më shumë se 1000 vite të tjera, në Tokë. Duhet të gjejë mënyrën për t’u larguar në një planet tjetër”. Paralajmërimi vjen direkt nga Stephen Hawking, fizikanti dhe kozmologu më i famshëm i botës. Teorinë e tij e ka shpjeguar në një leksion që ka dhënë në Oxford.Profesor Hawking, 74 vjeç, ka reflektuar mbi nivelin e kuptueshmërisë së universit duke iu referuar shpikjeve të 5 dhjetëvjeçarëve të fundit. Vitin 2016 e ka konsideruar si të përshtatshëm për të qenë të angazhuar në kërkimet fizike. “Imazhi që kemi për Universin ka ndryshuar shumë në 50 vitet e fundit dhe jam i lumtur që kam dhënë edhe unë kontributin tim gjatë këtyre viteve. Fakti që ne, qeniet njerëzore, pjesë fare të vogla të natyrës, kemi qenë në gjendje të mbërrijmë kaq pranë saj e t’i kuptojmë ligjet, është triumf. Mirëpo, duhet të kuptojmë më mirë edhe vendin tonë në Univers sepse ndoshta një ditë do të jemi në gjendje të përdorim valët gravitacionale për të parë drejt e në zemër të Big Bang” – ka thënë profesori por kjo nuk ishte pjesa më e rëndësishme e deklaratës së tij. “Më e rëndësishmja është që njerëzimi të mos ndalet duke shkuar në hapësirë për të siguruar të ardhmen e tij. Nuk besoj se njeriu do të mbijetojë për më shumë se 1000 vite të tjera në Tokë prandaj duhet të kërkoj planete të tjera për t’u zhvendosur” – kjo ka qenë pjesa më e rëndësishme e leksionit që sot po qarkullon në të gjithë botën. / Revista Living

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *