Subscribe

Një ditë pas grabitjes spektakolare të një banke të nivelit të dytë në Tirane, e denjë për filmat hollivudian, policia ka vënë në pranga 2 persona. Të arrestuarit janë drejtori i degës së filialit të Bankës, Luigj Gjonaj si dhe shefi i sigurisë Florjan Skarra. Policia ende nuk e konfirmon zyrtarisht shumën e grabitur, por dyshohet se ajo është 20 milion lekë. Ajo që ka befasuar të gjithë është mënyra e hyrjes brenda ambienteve të bankës, pasi 3 persona kanë gërmuar dy ditë me radhë, të premten në darkë dhe të shtunën po në darkë për të çarë murin që të çon tek kasaforta. Autorët mësohet se kanë hyre nga kjo dritare, duke sharruar hekurat. Këto ambiente i përkasin nje bodrumi, i cili me pare ka qenë Pub, por tani nuk është funksional. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Vizion Plus, grabitësit kanë përdorur një bombol me oksigjen, e cila dyshohet se ka shërbyer për hapjen e kasafortës. Për shkak të lëvizjeve së grabitësve, alarmi i bankës ka rënë dy herë dhe përveç policisë private ka shkuar tek banka edhe drejtori i degës së saj Luigj Gjonaj. Për veprimet dhe mosveprimet e tyre, Prokuroria këmbëngul se drejtuesi i bankës ka shpërdoruar detyrën, duke i komunikuar akuzën në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Hetimet për ngjarjen vijojnë ende, ndërsa pritet që policia të verifikojë edhe kamerat e sigurisë në bankë, nëse kanë mundur apo jo ta regjistrojnë nje nder grabitjet më të sofistikuara deri tani në kryeqytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *